Zbulohet identiteti i civilit të ekzekutuar nga komplotistët e FETO-s

Anadolu Agency (AA) dje arriti deri te filmime të reja të masakrës mbi civilët të kryer nga komplotistët e organizatës terroriste FETO gjatë përpjekjes së dështuar të grusht shtetit më 15 korrik të vitit 2016.

Këto janë filmime ku shihen komplotistët të cilët gjatë tentimit të grusht shtetit pushtuan selinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke.

Kamerat e survejimit në kompleksin e Shtabit të Përgjithshëm kanë kapur momentin kur komplotistët vrasin një civil në një mjet të blinduar. Identiteti i të vrarit është zbuluar. Ai është Yusuf Çelik.

Xhirimet janë përfshirë edhe në provat e procesit gjyqësor të cilin e udhëheq Gjykata e 17-të Penale në Ankara. Procesi ka të bëjë me pushtimin e Shtabit të Përgjithshëm gjatë komplotit.

Komplotistët gjatë pushtimit të Shtabit të Përgjithshëm përdorën tanke dhe mjete të blinduara me të cilat bllokuan hyrjet në kompleks.

Aty shihet se si komplotistët hapin zjarr nga mjeti i blinduar ndaj civilëve të cilët në ato momente ndodheshin në rrugë.

Gjithashtu aty mund të shihet edhe Yusuf Çelik i cili jep shenjë me dorë dhe i thërret edhe civilët e tjerë që ta ndjekin dhe pas kësaj drejtohet kah mjetet e blinduara.

Më pas një komplotist nga mjeti i blinduar hap derën dhe qëllon Çelikun në gjoks. Civilët e tjerë vrapojnë për ta ndihmuar, por komplotisti hap zjarr edhe ndaj tyre për t’i penguar.

Mjeti i blinduar “Kobra” qëndron në mes dy tankeve. Pas pak hapet dera e pasme ndërsa kamerat kanë kapur komplotistët duke abuzuar brutalisht me një civil.

Filmimet tregojnë se si komplotistët pasi që e vrasin, e hedhin nga mjeti në rrugë trupin e pajetë të Çelikut pa rroba. Trupi i pajetë disa minuta mbeti i shtrirë ndërsa komplotistët tjerë silleshin gjakftohtë përskaj tij.

Vrasësit më vonë u kthyen në vendin e krimit dhe me urdhër të komplotistit me gradë tenkist, trupin e të vrarit e dërgojnë në drejtim të shkurreve.

Saktësisht tre orë e gjysëm më vonë autoblinda “Kobra” kthehet në vendin e krimit dhe komplotistët me nxitim kërkojnë trupin e të vrarit.

Komplotistët e tjerë ia tregojnë vendin ku ndodhet trupi. Ata pasi e shohin e marrin nga aty.

Organizata terroriste FETO në vitet 1970 filloi të infiltrojë ithtarët e saj në institucionet e sigurisë së Turqisë, në mënyrë që të forcojë në masë të madhe piramidat e saj paralele brenda këtyre institucioneve në vitet 1980 dhe më në fund, më 15 korrik të vitit 2016, të kryejnë përpjekjen e dështuar të grusht shtetit ushtarak që synonte përmbysjen e rendit kushtetues dhe autoriteteve të zgjedhura në mënyrë demokratike në Turqi.

Gjatë përpjekjes së grushtit ushtarak në Turqi, 251 persona u martirizuan dhe rreth 2.200 u plagosën. Autoritetet turke kanë nisur një luftë gjithëpërfshirëse kundër kësaj organizate terroriste të udhëhequr nga Fetullah Gülen.

Postime te ngjashme