Trazirat në Bularat, Policia: Procedohen në gjendje të lirë 11 grekë

Në vijim të informacionit lidhur me shoqërimin e disa shtetasve që gjatë ceremonisë mortore të të ndjerit Konstandinos Kacifas në Bularat, ku bënë thirrje raciste dhe bllokuan rrugën nacionale, në përfundim të veprimeve të kryera nga Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër dhe ndiqen në gjendje të lirë shtetasit:

– Th.P., banues në Patra;
– Th.A., banues në Athinë;
– K.G., banues në Athinë;
– A.P., banues në Igumenicë;
– Th.P., banues në Piurgu Ilias, Peloponez;
– D.K., banues në Igumenicë;
– P.P., banues në Igumenicë;
– M.D., banues në Igumenicë;
– Ch.K., banues në Athinë;
– Th.S., banues në Livadhja, Sarandë;
– A.P., banues në Prevezë.

Sipas njoftimit të policisë, këta shtetas gjatë ceremonisë mortore të shtetasit Kacifas, në fshatin Bularat, Bashkia Dropull, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kanë bërë thirrje për urrejtje dhe përdorim të dhunës ndaj popullsisë shqiptare, e kënduar në kor nga pjesëmarrësit në gjuhën greke, si dhe thirrje të tjera raciste duke nxitur urrejtje dhe grindje midis popullsisë.

Në cilësinë e provës materiale këtyre shtetasve u janë gjetur dhe sekuestruar: maskë ngjyrë e zezë; flakadanë; flamuj me mbishkrimin “Vorio Epiri”; A.H 1914; bluza me mbishkrimin Vorio Epiri AH1914, “Ethniko Metepo”, “Misos” dhe 2 aparate celularë. Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë për veprat penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”, “Shpërndarja apo futja e materialeve, shkrimeve apo simboleve nga jashtë në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues a cënimin e tërësisë tokësore të vendit”, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 265, 225/2, 297 dhe 25 të Kodit Penal.

Postime te ngjashme