Transferimi i Ervis Martinajt, shkarkohet shefi i Policisë së Burgjeve, paditen mjekët e spitalit ‘Amerikan’

Drejtori i Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani është shkarkuar nga detyra pasi dështoi në tentativën e parë mbrëmjen e djeshme për transferimin e Ervis Martinajt nga spitali “Amerikan 2” në Tiranë te spitali i Burgjeve, pasi mjekët e spitalit privat refuzuan që të firmosin kartelën dhe fletën e daljes. Kjo ka bërë që drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Stefan Çipa të shkarkojë nga detyra shefin e Policisë së Burgjeve. Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, shefi i Policisë së Burgjeve është shkarkuar mbrëmë.

Por pas presionit të ushtruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve mbi efektivat e policisë që ishin në detyrë se do bënte kallëzim penal dhe do merrte masa administrative nëse ata nuk do të realizonin transferimin e të arrestuarit në drejtim të spitalit të Burgut në Tiranë, vetë i arrestuari Ervis Martinaj pranoi të largohet edhe pse mjekët e spitalit nuk pranuan të firmosin fletë-daljen.

Kjo ishte një situatë e paprecedentë ku mjekët e një spitali privat, pengojnë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor që detyronte policinë e Burgjeve të transferonte Martinajn nga spitali privat në spitalin e Burgjeve në Tiranë. Gjykata ka vendosur masën 30 ditë burg për Ervis Martinajn, i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e së enjtes në një lokal në zonën e ish-bllokut ku nga shkëmbimi i zjarrit u vra truproja i tij, Fabjol Gaxha dhe i plagosur mbeti dhe shoku i tyre Eljo Hato.

Në kërkim për ngjarjen vijon të jetë komandoja që ka qëlluar me armë zjarri, Merviol Bilo, Ervin Mata, i fejuari i Elvana Gjatës dhe Fabjol Allushi. Ndërsa në Kakavijë u arrestua dy ditë më parë Geldo Hoti i cili ka qenë në tavolinë me Matën dhe Bilon, raporton shqiptarja.com

Ministria e Drejtësisë: Arsyet pse shkarkuam kreun e Policisë së Burgjeve

Ministria e Drejtësisë në një njoftim për mediat ka reaguar zyrtarisht për shkakrimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani, për mos përmbushje të detyrave funksionale .

Sipas Ministrisë, “Ky vendim është marrë për shkak të mosekzekutimit të vendimit nr.1878, datë 07.10.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për vendosjen e masën së sigurimit “arrest me burg” për shtetasin Elvis Martinaj. Ky shtetas për shkak të gjendjes shëndetësore ishte akomoduar në ambientet e Spitalit Amerikan.

Bazuar në vlerësimin e Institucionit të Mjekësisë Ligjore ka rezultuar se në gjendjen shëndetësore në të cilën ndodhet i paraburgosuri, trajtimi i tij mund të kryhet në Qendrën Spitalore të Burgjeve”.

Mëngjesin e së martës, Forcat Operacionale që kanë shkuar në mjediset e Spitalit Amerikan për të kryer shoqërimin dhe marrjen në ruajtje të të paraburgosurit Elvis Martinaj, kanë hasur në pengesat e shkaktuara nga personeli i spitalit, të cilët nuk kanë plotësuar dokumentacionin e kartelës shëndetësore të të paraburgosurit Elvis Martinaj.

“Për moszbatim të vendimit të gjykatës me masën e sigurisë arrest në burg për Martinaj, është kryer shkarkimi i Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani, me motivacionin e mospërmbushjes së detyrave funksionale sipas ligjit në fuqi”, sqaron Ministria e Drejtësisë, e cila thotë gjithashtu se Elvis Martinaj është shoqëruar në mjediset e Qendrës Spitalore të Burgjeve vetëm në mbrëmjen e datës 9 tetor.

Ndërkohë një kallëzim penal ka nisur edhe për spitalin privat ku qëndronte Martinaj, për pengim në zbatimin e vendimit të gjykatës.

“Përveç masës ndaj Drejtorit të Policisë së burgjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kryer kallëzim penal ndaj Spitalit Amerikan 2, të cilët në kundërshtim me ligjin kanë penguar zbatimin e vendimit të Gjykatës për masën e sigurisë ndaj shtetasit Elvis Martini”.

Në fund të kësaj deklarate thuhet se “Qeveria Shqiptare siguron çdo qytetar se ligji është i barabartë për të gjithë dhe kushdo që bëhet pengesë për zbatimin e tij do të marrë përgjigje shembullore”.

Postime te ngjashme