Thuaji JO konkurseve të bukurisë për fëmijët!

Para disa ditësh një kolege kishte dëgjuar për një ngjarje në të cilën do zgjidhnin Miss-in më të bukur nga fëmijët pjesmarrës; djem dhe vajza. Më fton të regjistroj dhe Danian(vajzën time).“ Vishe Danian bukur pasi me siguri do fitojë vendin e parë. Është vajza më e bukur dhe më e bardhë që kam parë ndonjëher. Dania s’duhet ta humbasë këtë shans” – më thotë teksa qëndron karshi meje me sytë tek vizatimet e autocadit. I dhuroj një buzeqeshje të lehtë duke e falenderuar njëkohesisht për pozitivitetin që më përcolli. I rikthehem punës, ama përqëndrimi tashmë ish zhvendosur tek ai konkurs. Pasdite pasi marr vajzen nga kopshti, si çdo ditë tjetër, ndaluam pak tek këndi i lojrave.
Ndërkohë që ajo luante në lisharsin përballë, unë po mendoja cilin nga fustanet t’i vishja ditën e konkursit. Përhumbem në kujtime dhe filloj të imagjinoj kohën kur kam qenë vetë fëmi. Unë s’kam qenë e bukur,(ose të pakten këtë përshtypje kam patur për veten kur isha e vogel) pasi sot, ose kur rritesh, vajzat çoç rregullohen pak, një laps në sy, një rimel , pak pudër: ualaaaa..! Bëhen yll!
Përher jam ndjerë inferiore sa i përket pamjes fizike. Nuk kam marrë pjesë as në konkurse bukurie, (mis lagjia, apo mis klasa, shkolla etj) as në sfilata të shkollës. Fat i mire i imi, më saktë, ishte dhuratë nga Zoti që më kishte dhënë intelektin, zgjuarsinë, vullnetin për të mësuar dhe për çdo vit merrja pjesë në olimpjada kombëtare; herë matematikë, herë letërsi, e herë fizikë. Si dhe nuk mungoja asnjëher në koncertet artistiko- kulturore. Fakti që dalloja në mësime më bënte t’i kapërceja lehtë mangësite në bukurinë e jashtme. Ndërsa sot, sot sigurisht jam mjaft e vetëdijshme se çfarë është më e rëndësishme tek një njeri. Dhe defektet që vazhdoj t’i kem as që i vej re më, pasi bukuria e jashtme shkon e vjen, ajo ç’ka mbetet është ajo brenda teje.
Rikthehem me mendje dhe fizik tek vajza e cila po lodronte në park dhe as që e kishte idenë se ç’po bluante në kokë mamaja e saj. Kur pashë Dania-n e cila për mua është një ëngjëll i bukur që shndërrit çdo gjë përreth saj, ndjeva keqardhje. Po, po! Keqardhje: se si ne të rriturit dashje padashje, i mbjellim që në vegjëli këtyre krijesave të padjallëzuara ndjenjën e të bukurës mbi të tjerë. “Sa gabim”- them me vete: “Si mund të lejoj vajzen të marrë pjesë në një konkurs bukurie dhe pasi ajo të fitojë (nëse fiton) tërë shoqet e saj do shpresonin të ishin në vend të saj”. Si mundemi ne prindërit me vetëdije t’i orientojmë fëmijet tanë në të dukshmen, fasadën e jashtme.
Me siguri as që e kemi menduar ndonjëher kaq thellë apo jo? Për të gjithë është thjesht një aktivitet argëtues, por a e kemi vënë ndonjëher veten në vendin e fëmijëve? Imagjino pastaj cfarë mundësie po i ofrojmë në tryezë një fëmije në kopësht, e në shkollë? Mundësinë për t’u bërë miss dhe modele? A nuk do të instalohet në trurin e fitueses një ndjenjë superioriteti karshi të tjerëve? Po fëmijët të cilët nuk do të fitojnë? A nuk do të ndihen inferior për shkak të pamjes? Me siguri një farë ndjenje do përshtjellohet në brendësi të tyre.
Fatkeqësisht bota në të cilën jetojmë më shumë se kurdoherë tjetër është drejtuar masivisht për tek fasada e jashtme. Tani më shumë se çdo herë tjetër po përballemi me një brez të kompleksuar, më një shoqëri materialiste, e cila është vazhdimisht në luftë me vetveten dhe kohën për t’i ngjasuar modeleve që shabllon na serviren në çdo ambient, sidomos atë mediatik. Ndërkohë ne kemi kaq shumë nevojë të ngrejmë në piedestal të tjera indekse ku fëmijët tanë (e ardhmja) të referohen. Dhe ato virtyte për të cilat duhet të konkurojnë me siguri nuk bazohen mbi bukurinë e jashme, por mbi talentet, aftësitë të fituara me punë, intelekt, mësimnxënie. Për më tepër: Si mund te bazohet një filozofi e tërë, duke konkuruar mbi një dhuratë të dhënë vetëm nga Zoti? Askush nuk e zgjodhi fizikun e tij. Është e pafalshme të krahasojme krijimin e Zotit ndërmjet veti, kur Zoti i Gjithëdijshmi nuk shikon në pamjen e fizikun e dikujt, por shikon në zemrën e tij. Sic thotë Profeti Muhamed:  “…i bardhi nuk është më i mirë se i ziu përveçse nëpërmjet devotshmërisë”
Jo, jo, fëmijët tanë duhet ti drejtojmë drejt aktivitete të cilat janë të dobishme, drejt virtytit, drejt dashurisë per vetveten dhe të tjerët duke u bazuar në vlerat shpirtërore. Nga Brunilda Basha

Postime te ngjashme