Renditja e FIFA-s, Shqipëria rritet me 9 vende. Lë pas dy ekipe të Kupës së Botës

FIFA ka publikuar sot renditjen e re të ekipeve kombëtare. Kuqezinjtë e drejtuar nga Kristian Panuçi pas fitores së arritur në miqësoren ndaj Turqisë, janë rritur me 9 vende duke u pozicionuar të 62-tët.

Në këtë renditje, Shqipëria ka lënë pas dy ekipe pjesëmarrëse në Kupën e Botës “Rusi 2018”, Arabinë Saudite e cila renditet e 63-ta dhe organizatorët e turneut, Rusinë, e cila renditet e 65-ta.

Në total kuqezinjtë e drejtuar nga tekniku italian, kanë grumbulluar 533 pikë dhe është vërtet një lajm i mirë, pasi në tetor Shqipëria renditej në vendin e 71.

Një lajm i mirë vjen edhe për përfaqësuesen e Kosovës që ka arritur gjithashtu të ngjitet në vendin e 174 duke u bërë shoqëri skuadrave si Kuba apo dhe Malajzia. Në muajin e kaluar Kosova ishte e renditur e 183 duke rikuperuar 9 pozicione këtë muaj, pas fitores me Letoninë.

Në krye të renditjes së FIFA-s qëndron Gjermania, e cila ndiqet nga Brazili dhe Portugalia. Ndërsa pesëshen e parë të rënditjes e mbyllin Argjentina dhe Belgjika.

Postime te ngjashme