Popujt e Ballkanit vazhdojne të jenë objekti i Historisë

Shkruan: Bayram Pomak

Histori, a janë ngjarjet që kanë ndodhur dhe kanë përfunduar apo histori është vazhdim i ngjarjeve të cilat kanë filluar diku? Në fakt atë që e quajmë histori nuk është diçka që ka ndodhur dhe ka përfunduar, përkundrazi, ngjarjet që përjetojmë sot, janë vazhdim i një mori çështjesh që kanë filluar në të kaluarën. Megjithatë, nuk është mundësi e çdo populli që këtë ta kuptojë, perceptojë dhe sipas kësaj ta interpretojë të tashmen (sotmen). Popujt që arrijnë këtë, në histori nuk kanë qenë objekt por subjekt dhe përcaktues të ngjarjeve historike. Ne, zakonisht kur lexojmë histori, lexojmë meqë këtu ka ndodhur kjo, e atje ka ndodhur ajo. Ajo që është akoma më e rëndë është fakti që edhe historianët tanë nuk shkruajnë historinë nga ndodhitë (fenomenet) por orvaten të shkruajnë histori sipas botëkuptimit të tyre. Sot e kemi të vështirë të kuptojmë gjendjen aktuale (situatën) në Ballkan, pa i vlerësuar tridhjetë vitet e fundit.

Para 30 viteve është rrënuar Muri i Berlinit. Në fakt rënia e Murit të Berlinit është shprehje simbolike për të treguar fillimin e një rendi të ri të viteve 90-ta. Pas polarizimit të dyfishtë të kapitalizmit dhe komunizmit, tanimë bota po shkonte drejt një strukture të vetme (pole). Rusia komuniste filloi të tërhiqet me shpejtësi nga rajonet që ishin nën ndikimin e saj. Bashkë me prishjen e këtij rendi botëror u trondit edhe Ballkani i cili ishte nën ndikimin komunist dhe në vitet e 90-ta u bë pistë e luftërave të përgjakshme, vrasjeve, përdhunimeve dhe shkatërrimeve. Në fund të viteve të 90-ta në mas të madhe dizajni i Ballkanit ishte plotësuar. Mirëpo kostoja ka qenë shumë e rëndë për Ballkanin. NATO kishte vendosur bazat e saj në disa pjesë të Ballkanit.

Në vitet e 2000-ta akoma vazhdonin të ndihen tronditjet e viteve të 90-ta. Menjëherë pas luftërave shtetet ballkanike filluan rehabilitimin dhe krijimin e sistemeve të tyre. Edhe pse Rusia komuniste ishte tërhequr nga Ballkani, akoma mentaliteti politik që mbajti pushtetin në atë periudhë ishte në skenën politike. Pra ata që dje ishin komunistë sot ishin bërë kapitalistë dhe po vidhnin të gjitha pasurit e shtetit. Në privatizimin gjatë fazës së tranzicionit nga komunizmi në kapitalizëm përsëri ishin pushtetarët e epokës komuniste dhe që përmes duarve të tyre bëheshin privatizimet. Andaj nuk është rastësi që sot pasuritë më të mëdha të Ballkanit janë në duart e familjarëve të komunistëve të vjetër.

Bashkimi Evropian dhe NATO për të larguar tërësisht ndikimin Rus nga Evropa po vazhdojnë projektet e përfshirjes së Ballkanit brenda kornizave të tyre ligjore. Në vitet e 2000-ta vendet si Bullgaria, Kroacia u anëtarësuan në BE dhe NATO. Tani po bëhen përpjekjet për të filluar procesin e anëtarësimit në BE edhe të Bosnjës, Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Referendumi në Maqedoni, marrëveshja Kosovë-Serbi,  marrëveshja e kufirit detar Greqi-Shqipëri etj të gjitha janë pjesë e këtij projekti. Prandaj pa u kuptuar Makro (politika) nuk kuptohet Mikro (politika).

NATO paraprakisht e anëtarësoi Shqipërinë; pastaj për të thyer ndikimin rus në rritje, shtypi butoni për anëtarësimin e Malit të Zi. Rusët pothuajse e kishin blerë të gjithë bregdetin e Malit të Zi. Perëndimi nuk mund të qëndronte vetëm si spektator në raport me rritjen e ndikimit rus në Adriatik përmes Malit të Zi. Kështu që për herë të parë në historinë e saj NATO filloi një shtet për anëtarësim. Me gjithë kundërshtimin e pakicës serbe dhe përkrahësve rusë nuk ka pasur ndonjë mundësi që Mali i Zi mos të anëtarësohet në NATO. Pas anëtarësimit të Malit të Zi NATO vendosi për ngritjen e një bazë detare në Mal të Zi dhe një baze ajrore në Shqipëri. Ndërtimi i bazave planifikohet të fillojë vitin e ardhshëm.

Pas mbylljes së këtij kapitulli në Ballkan, radha i erdhi një vendi tjetër që është nën ndikimin rus, Maqedonisë. Maqedonia për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO paraprakisht duhej që të zgjidhte problemin e emrit me Greqinë. Mirëpo udhëheqësit në Maqedoni ishin pro rus. Kështu që pro perëndimorit Zoran Zaev iu dha mbështetje dhe doli fitues në zgjedhje. Edhe pse Zaev doli fitimtar i zgjedhjeve, presidenti i Maqedonisë George Ivanov nuk dëshironte ta mandatonte Zaevin për formimin e qeverisë. Derisa vazhdonin këto mosmarrëveshje, përgjegjësi për çështje të Ballkanit në administratën amerikane Hoyt Yee vizitoi Maqedoninë. Pas takimit që pati me Yee, Ivanov u “bind” që të mandatonte Zaevin për formimin e qeverisë. Edhe pse Zaev formoi qeverinë, ndodhi një ngjarje e rrallë e rastisur në skenën politike, persona të maskuar hynë në Parlamentin e Maqedonisë duke dhunuar fizikisht dhe duke i përgjakur shumë persona, përfshirë edhe Zaevin. Qëllimi ishte krijimi i çdo lloj kaosi për të vështirësuar punën e perëndimit. Në të njëjtën mënyrë edhe në Mal të Zi në natën e zgjedhjeve ishin kapur një grup nga Serbia nën akuzën për grushtshtet.

Në rajon thuajse në secilin shtet ekzistojnë udhëheqje pro perëndimore. Mirëpo në shtetet ku ka popullsi me shumicë ortodokse ka një simpati të madhe ruse. Veçanërisht kishat ortodokse janë tërësisht pro ruse dhe anti perëndimore. Përmes këtyre Rusia depërton në rajon dhe bën plane për të luajtur lojëra të ndryshme.

Rivaliteti i fuqive të mëdha që ekzistonte gjatë historisë në Ballkan vazhdon të ekzistojë edhe sot. Perëndimi dhe NATO synojnë që duke inkuadruar në kornizat e tyre ligjore të gjitha shtetet e Ballkanit t’ia lidhin duart Rusisë në rajon. Mirëpo ky nuk është një projekt i përgatitur sot. Pas rrënimit të Murit të Berlinit ka filluar dizajnimi i Ballkanit dhe harmonizimi i tij në përputhje me konceptin perëndimor. Ky projekt ka vazhduar hap pas hapi dhe sot planifikohet të përfundojë duke e anëtarësuar rajonin në BE dhe NATO. Perëndimi gjatë tërë historisë dhe gjatë viteve të 90-ta edhe për Bosnjën, edhe për Kosovën por edhe për rajone të tjera ka negociuar me Rusinë. Tani më NATO nuk dëshiron që të negocioi me Rusinë për vendet të cilat i ka të anëtarësuara. Përderisa të gjitha shtetet e Ballkanit kanë deklaruar kërkesat e tyre për anëtarësim në BE dhe NATO, Serbia ka kërkuar anëtarësim vetëm në BE dhe ka deklaruar se nuk do të hy në NATO dhe se në aspektin ushtarak do të ndjek politika të paanshme. Mirëpo kjo e ka shqetësuar seriozisht BE-n dhe NATO-n për faktin që Serbia është dera e depërtimit të Rusisë në Ballkan. Ata që kishin hyrë në Mal të Zi për të nxitur trazira, vinin nga Serbia, ashtu siç kanë pasur lidhje me Serbinë edhe ata që sulmuan Parlamentin e Maqedonisë. Si rezultat i nxjerrjes në pah të këtyre lidhjeve me Serbinë, marrëdhëniet Serbi – Maqedoni ishin acaruar dhe Serbia kishte tërhequr tërë personelin diplomatik.

Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Postime te ngjashme