Pasioni për t’u bërë punonjës Policie, nisi sot faza e parë e konkurimit (FOTO+VIDEO)

Në ambientet e Pallatit të Kongreseve ka filluar sot testimi i kandidatëve që konkurojnë për të ndjekur studimet në Akademinë e Sigurisë, për pozicionin Patrullë e Përgjithshme. Ky është testimi me shkrim që do të zhvillohet gjatë dy ditëve në vijim dhe që i paraprin testimit fizik dhe atij psikologjik.

Në këtë testim marrin pjesë rreth 2700 të rinj nga i gjithë vendi, të cilët konkurojnë për 150 vende në Policinë e Shtetit.

Ditën e sotme kandidatët testohen mbi njohuritë e shkollës së mesme, ndërsa pjesët e tjera të konkurimit janë testimi fizik dhe ai psikologjik.

Testimi me shkrim monitorohet me kamera edhe nga një grup i Drejtorisë së Përgjitshme të Policisë së Shtetit, nga SHÇBA, ICITAP e PAMECA.

Në hapjen e konkurimit, kandidatët i ka përshëndetur edhe Drejtori i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema: ”
Unë që po ju flas jam Drejtori i Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë, dhe ju uroj të gjithëve, mirëse keni ardhur në këtë testim, shumë të rëndësishëm për Policinë e Shtetit. Ju jeni të mrekullueshëm të gjithë, sepse me kërkesën tuaj doni të jepni kontributin për sigurinë publike në Shqipëri, dhe kjo është shpresë shumë e madhe , garanci shumë e madhe për jetën tonë shoqërore, për familjet tona. Ju e bëtë këtë me vullnetin tuaj të lirë, që të vini të konkuroni, dhe një farë mënyre jeni të gjithë fitues sepse jeni krenar që keni pranuar të vini të konkuroni për të dhënë kontributin tuaj në sigurinë publike. Natyrisht sot është një garë, jo të gjithë do të fitojnë, por ju e treguat veten tuaj. Këtu do të zgjidhen nga ju kolegët më të mirë, në një konkurim që ju do ta shikoni, do të jetë krejt transparent, ku do të testohen njohuritë tuaja që keni marrë në shkollën e mesme, që janë të përgjithshme dhe mbi bazën e atyre, pastaj ju do të vazhdoni me karrierën tuaj në Polici”.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ka theksuar: “Unë dua t’ju falenderoj të gjithëve që iu përgjigjët thirrjes sonë për tu bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes në Akademinë e Rendit dhe Sigurisë, iu përgjigjët jo vetëm thirrjes sonë, por dhe dëshirës tuaj për tu bërë pjesë e organizatës së Policisë. Që të jesh punonjës Policie nuk është vetëm privilegj, por dhe është sakrificë dhe ata të cilët do të arrijnë të kalojnë me sukses këtë proces, do të sakrifikojnë nga jeta e tyre, nga koha e lirë e tyre, do të privohen nga disa të drejta, por gjithsesi që të shërbesh në organizatën e Policisë është një privilegj. E tha edhe drejtori i Akademisë që procesi i përzgjedhjes do të jetë një proces i gjatë, do të jetë transparent dhe unë nuk dua që t’ju shtoj më shumë emocione për faktin se sot do të jetë një ditë e gjatë për ju. Ju uroj të gjithëve suksese dhe le të fitojnë më të mirët”

Më tej procesi vijoi me shpërndarjen e materialeve të nevojshme për testimin dhe hapjen e tezave të provimit, nën mbikëqyrjen e Komisionit të ngritur posaçërisht për këtë fazë të konkurimit.

Frekuenca.com

Postime te ngjashme