Parimet universale arsimore-2

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Si familje njerëzore, ne ndajmë së bashku planetin tonë. Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta për të ndarë me shoqëritë me të cilat kemi stile jetese shumë të ndryshme, sepse ekzistenca jonë mbi Tokë ka nisur në të njëjtën periudhë të historisë. Kur ballafaqohemi me një katastrofë globale, ne ndikohemi bashkë me familjen njerëzore pavarësisht besimit, gjuhës, fesë apo racës që i përkasim. Duke qenë se jemi krijuar në të njëjtën epokë, kjo na bën të jemi në një ndikim të ndërsjellë njohurish, kulturash dhe mënyrash jetese me njerëz të hapësirave gjeografike të afërta ose të largëta. Kjo influencë nganjëherë na detyron të pyesim veten nëse jemi më tepër nën ndikimin e të parëve apo të bashkëkohësve tanë.

Po mundohem ta sjell fjalën tek arsimi. Njerëzit e arsimuar mirë apo keq kanë potencial për të ndryshuar jetën tonë nga afër pavarësisht nëse ata jetojnë në vendin tonë apo në ndonjë shtet tjetër shumë larg nesh. Një person i keqarsimuar mund të bëhet “bombë vetëvrasëse” dhe t’ju shkëpusë juve nga jeta apo të dashurit tuaj nga ju. Kurse zbulimi që bën një person i mirarsimuar, të cilin nuk e njihni aspak, mund ta lehtësojë shumë jetën tuaj ose mund t’ju rikthejë në jetë.

Rrjedhimisht, arsimi është një fenomen global, jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe infektiv për të gjitha vendet. Arsimi i mirë apo i keq në një vend ka ndikim pozitiv ose negativ të drejtpërdrejtë në vendet e tjera.

Cila është gjendja jonë në shkallë globale në aspektin arsimor?

Sigurisht, ka mjaft fusha në të cilat ne jemi shumë mirë. Por në këtë artikull dua të theksoj anët negative.

Kur shikojmë Perëndimin, shkollat ​​po bëhen gjithnjë e më tepër kazerma në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku niveli i vrasjeve në shkolla është dy herë më i lartë sesa në pjesën tjetër të botës. Vrasësit e fëmijëve të vegjël dhe të rinjve janë kryesisht shokët e tyre të klasës. Raporte seksuale dhe bixhoz në moshë të mitur, shkallë e lartë e konsumit të pijeve alkoolike dhe drogës në një moshë shumë të re, lidhje familjare të shkëputura, familje të copëtuara dhe fëmijë të braktisur nëpër rrugë, prindër që nuk kujtohen as në festa…

Situata nuk është e ndryshme as në Lindje. Edhe pse niveli i krimit nuk është aq i lartë sa në Perëndim, sistemet arsimore të Lindjes nuk japin identitet, s’formojnë karakter, nuk e përgatisin njeriun për jetën, në të shumtën e rasteve imponojnë mësimin përmendësh në vend që të nxisin mendimin e lirë dhe në përgjithësi janë të shkëputura nga jeta…

Kurse në botën islame, krahas përçarjes apo mungesës së unitetit ndërmjet vendeve myslimane, arsimi është një tjetër problem esencial i theksuar nga i ndjeri Alija Izetbegoviç.

Nëse arsimi i mirë apo mungesa e arsimit në një vend ka vetinë të ndikojë nga afër të gjitha vendet, atëherë duhet të ketë një konsensus të përgjithshëm mbi një profil njerëzor pavarësisht nga feja, gjuha, ideologjia, besimet, raca ose ngjyra. Përkundrazi, të gjithë ne jemi në rrezik si familje njerëzore. Arsimi duhet të ketë parime globale për një botë më të volitshme për të jetuar, më të begatë dhe më paqësore. Këto parime mund të fillojmë t’i kërkojmë duke vënë në pyetje qëllimin e arsimit.

Qëllimi i arsimit duhet të jetë përgatitja e qenies njerëzore për jetën. Lloji i arsimit që ne duam, në thelb, është i lidhur ngushtë me botëkuptimin tonë, me filozofinë tonë të jetës, me atë se si ne e shikojmë jetën. Filozofia jonë e arsimit është zgjatim i filozofisë sonë të jetës. Nëse na mungon një botë më e qëndrueshme, ku ka më pak padrejtësi dhe më pak të këqija, ku dallimet respektohen më shumë dhe njerëzit janë më të virtytshëm, atëherë edhe qëllimi i arsimit duhet të jetë mundësimi i kësaj atmosfere. Arsimi nuk nënkupton vetëm shkollimin apo arsimin modern. Prandaj shkolla s’është mënyra e vetme për të arritur objektivin e lartpërmendur, por një prej instrumenteve të tij.

Nëse kemi një shqetësim të përbashkët për jetën dhe nëse i bashkohemi objektivit të përgjithshëm që përmendëm më lart, si familje njerëzore, atëherë ne mund të kemi parimet universale arsimore, të cilat do të jenë në dobinë tonë dhe do të mbrojnë dallimet tona.

Por cilat mund të jenë këto parime themelore?

1) Një arsim që formon vetëdijen për drejtësinë

Arsimi duhet së pari të formojë ndjenjën e drejtësisë pa marrë parasysh as periudhën kohore (tradicionale, moderne, postmoderne apo një përkufizim tjetër në të ardhmen) në të cilën jetojmë, as mënyrën tonë të jetesës dhe as atë se si ne e përcaktojmë veten tonë. Sipas Hz. Omerit, “drejtësia është baza e shtetit”. Ndërsa sipas filozofit gjerman, Immanuel Kant, “nëse drejtësia hiqet, atëherë s’mbetet asgjë që mund t’i japë vlerë jetës së njeriut”. Së pari duhet të ketë drejtësi, pasi liria dhe barazia janë parime imanente dhe të pandara prej saj. Pa dyshim që si individë të familjes njerëzore ne s’jemi dakord për atë se çfarë është drejtësia dhe çfarë padrejtësia. Por shtyllat themelore të drejtësisë dihen pak a shumë. Të gjitha fetë, besimet dhe ideologjitë pajtohen në vija të përgjithshme për të mos vrarë, për të mos vjedhur, për të fituar përmes rrugëve të ligjshme dhe për të mos bërë keq. Në këtë kontekst, parimi i parë që duhet t’u mësohet nxënësve apo studentëve në të gjitha nivelet, është të fitosh me djersën e ballit, me meritë, pa i hyrë në hak askujt. Thuhet se drejtësia kuptohet më mirë nëpërmjet antonimit të saj, padrejtësisë. Le të mendojmë për një çast sikur të gjithë të përpiqeshin për të fituar pa punuar dhe pa respektuar rregullat. Vallë a mund ta imagjinoni kaosin që do të shpërthente?

Mangësitë e krijuara gjatë procesit arsimor në njohuri, përvojë dhe mirësjellje mund të korrigjohen edhe më vonë; por deficiti i drejtësisë (ndjenja e fitimit pa meritë) gjatë procesit arsimor nuk mund të mbyllet gjatë tërë jetës.

Ndjenja e drejtësisë tek nxënësit/studentët formohet dhe konsolidohet më tepër përmes sistemit arsimor, sjelljes së arsimtarëve dhe praktikës në jetë, jo me anë të njohurive gjatë procesit arsimor. Në këtë kuadër, drejtësia duhet të përvetësohet në nivelin e ndjenjave, vetëdijes dhe besimit, jo në shkallën e njohurive. Padrejtësia, mizoria dhe pabarazia duhet të shmangen me një besim të fortë dhe të prerë duke njohur mirë problemet që ato do të shkaktojnë.

2) Një arsim që e bën njeriun qëllimmirë dhe optimist

Arsimi duhet të edukojë individë zemërmirë, shpirtpastër dhe optimistë për jetën. Unë shoh të rinj pesimistë dhe të dëshpëruar, të cilët e bekojnë ngërçin në vend të zgjidhjes dhe u qasen të tjerëve gjithmonë me mosbesim. Si mund të durohet një jetë e tillë? Ç’lloj bukurie mund të ndërtohet me këtë pikëpamje negative? Njeriu duhet të shohë drejt të së ardhmes me optimizëm, sepse vetëm kështu mund të mendojë pozitivisht. Natyrisht që “e mira” dhe “e keqja” mund të ndryshojnë deri diku sipas kulturave dhe besimeve. Por të synosh edukimin e njerëzve të mirë në një botë ku ka shumë arsye për të qenë pesimist, është një vlerë e paçmueshme. Të jesh optimist dhe pozitiv në jetë është kushti më themelor që njeriu të përvetësojë domosdoshmërinë për të qenë i mirë në vetvete dhe në paqe me veten, mjedisin dhe njerëzit e tjerë përreth tij.

 

Edhe pse të jesh optimist në jetë dhe të mendosh mirësi janë dy virtyte shumë të çmuara, “drejtësia” vjen gjithmonë përpara “të mirës”.3) Një arsim që formon individë mbi bazat e kodit të etikës

Ato që e bëjnë të mundur jetën shoqërore, janë angazhimet e njerëzve se do të sillen apo veprojnë parimisht dhe do të respektojnë kodin e etikës ose normat e përgjithshme të moralit. Janë individët e formuar me këto parime ata që mundësojnë jetueshmërinë. Janë supozimet tona se të tjerët nuk do të vjedhin, s’do të sulmojnë, nuk do të sillen keq dhe s’do të gënjejnë. Le të paramendojnë për një çast sikur një mëngjes dalim nga shtëpia pa të gjitha këto! Së pari, a mund të dalim nga shtëpia? Vallë si mund të ecim të qetë nëse nuk jemi të sigurt që nuk do të na sulmojë njeriu i parë me të cilin shkëmbehemi, nëse kalimtarët në rrugë s’do të na grabisin gjithçka kemi me vete, nëse të gjithë sillen keq? Po sikur njerëzit të përpiqen për të fituar diçka pa mund dhe meritë në vend që të punojnë me djersën e ballit për të siguruar jetesën?

Shembujt dhe përvojat për këtë s’kanë fund. Por a është e mundur jeta shoqërore në një mjedis kaq të egër?

Edukimi i individëve me kodin e etikës dhe rregullat e përgjithshme të moralit, brenda kuadrit të kulturës shoqërore në të cilën jetohet, duhet të jetë një prej qëllimeve më parësore të arsimit. Përcaktimi dhe vendosja e këtyre normave të përgjithshme nuk është edhe kaq e vështirë. Një pëlqim apo miratim i përgjithshëm i këtyre parimeve dhe kritereve ekziston pak a shumë në kultura të ndryshme.

4) Një arsim që ngulit edukatën e punës dhe nxit përparimin

Parimet e mëposhtme janë përgjithësisht kritere që kanë të bëjnë me përmbajtjen dhe metodën e arsimit. Ndërsa tri parimet e lartpërmendura (një arsim i bazuar në drejtësi, optimizëm dhe moral) janë vlerat themelore mbi të cilat duhet të ndërtohet arsimi i çdo lloji dhe çdo niveli. Rezultatet e arsimit që s’bazohet në këto vlera ose që nuk përmban këto vlera, mund të jenë shumë të rrezikshme për njerëzimin. Luftërat botërore, sulmet terroriste, muret e sigurisë përherë e më të larta apo shpikjet e llojllojshme për të zhdukur të tjerët dhe jo për t’u siguruar jetën, janë gjëra “që mund të arrihen” vetëm nga njerëz me arsim shumë cilësor dhe jo nga njerëzit e paarsimuar. Të tëra këto viktimizime, dhimbje, lot dhe gjakderdhje mund të fabrikohen vetëm me një arsim të nivelit shumë të lartë, kurrsesi pa arsim ose me pak arsim. Këto janë vlerat që do ta mbrojnë familjen njerëzore edhe në fushën e arsimit, sikurse në shumë fusha të tjera të jetës gjithashtu. Një qëndrim moral dhe etik shumë të çmuar në këtë aspekt paraqet kjo thënie profetike e Hz. Muhamedit (a.s.): “(…) Allahu im, të mbështetem Ty nga dija e padobishme (…)”(Transmeton Muslimi).

Vini re! Ky është një qëndrim i cili thekson shmangien madje edhe nga dijet e padobishme, aq më shumë nga të dëmshmet…

Nëse u kthehemi sërish parimeve universale, puna dhe kërkimi çdo ditë për diçka të re është një nga përpjekjet më të dobishme për veten tonë, për ata që na rrethojnë dhe për tërë njerëzimin. Një mënyrë jetese parazitare dhe përtace i kalb shoqëritë. Në këtë prizëm, arsimi duhet të konsiderojë të shenjtë çdo profesion, duhet të stimulojë punën në çdo profesion dhe të mësojë se puna është një vlerë në vetvete.

5) Një arsim që është pluralist dhe i larmishëm sipas potencialit të njerëzve, jo njësoj për të gjithë

Me shtetin modern dhe centralist, metoda e arsimit dhe edukimit në masë, kolektiv, e cila zbatohet njëtrajtësisht për të gjithë, është përhapur anembanë globit. Ky lloj arsimi ka siguruar kontribute me peshë në aspektin e përhapjes dhe transformimit të tij në diçka të arritshme nga të gjithë. Megjithatë kjo metodë eliminoi dallimet dhe i barazoi njerëzit në një tip të vetëm. Ndërkohë që çdo individ është një lloj i përveçëm, çdo individ është një botë.

Sheh Galibi e ka shprehur kaq bukur:

“Kujdesu për veten o njeri, sepse thelbi i botëve je ti; bebja e syrit të universit je ti, o njeri!”

Arsimi s’duhet t’u japë të gjithëve të njëjtë gjë, por duhet të zbulojë potencialin e çdo individi dhe me këtë potencial t’u mësojë njerëzve si të marrin dobinë individuale dhe shoqërore.

6) Një arsim i gërshetuar me jetën

Në metodën tradicionale të arsimit, individët edukoheshin dhe fitonin mjeshtërinë përgjithësisht nëpërmjet marrëdhënieve usta-çirak dhe praktikës në punë. Në ditët e sotme, arsimi dhe institucionet arsimore janë profesioniste. Si rezultat i këtij profesionalizmi, vërejmë se institucionet arsimore janë shkëputur pjesërisht nga jeta e përditshme dhe se arsimi që ato ofrojë është shumë teorik. Siç shihet edhe në fjalët e Ajnshtajnit, se “arsimi është çka mbetet pasi dikush të ketë harruar çfarë ka mësuar në shkollë”, kjo situatë ka edhe kundërshtarë të fortë. Nëse qëllimi i arsimit është të përgatisë individin për jetën, atëherë ai nuk duhet të jepet vetëm në bankat e shkollës. Institucionet arsimore dhe arsimi vetë duhet të jenë të ndërthurua dhe të gërshetuara me shoqërinë civile, me sektorin publik dhe atë privat, me institucionet akademike dhe me burokracinë, ku njerëzit do të punojnë pasi të kenë përfunduar arsimin.

7) Një arsim që shkëshillon të mësuarit përmendësh dhe nxit mendimin e kërkimin

Arsimi, në thelb, është një përpjekje për të ardhmen dhe jo për të kaluarën apo të tashmen. Natyrisht që e tashmja dhe akumulimi i së kaluarës do të mësohen gjithashtu. Por të gjitha këto duhet të bëhen për të kuptuar më mirë të ardhmen dhe për të prodhuar gjëra të reja, jo për të jetuar në të kaluarën. Një arsim që synon vetëm të mësuarit përmendësh, përsëritjen e njohurive ekzistuese dhe rutinën në vend që të nxisë mendimin dhe kërkimin, nuk na çon në të ardhmen. Njerëzit mund ta zbulojnë potencialin e tyre vetëm duke menduar, pyetur dhe kërkuar. Arsimi duhet të përgatisë mjedisin e përshtatshëm që njeriu të zbulojë veten.

Si një tjetër parim mund të përmendim gjithashtu arsimin e bazuar në sektorin privat dhe në organizatat joqeveritare të kontrolluara dhe inspektuara nga institucionet shtetërore, në vend të arsimit statocentrik të zhvilluar nga institucionet publike. Ose kjo situatë mund të trajtohet si një metodë edukimi. Por këtë temë mund ta trajtojmë veçmas si metodë arsimore në një artikull tjetër.

Sigurisht, numri i këtyre parimeve mund të shtohet, por është e vështirë dhe e lodhshme për lexuesin/dëgjuesin që t’i përvetësojë të gjitha në një artikull të vetëm. Të interesuarit mund të lexojnë studimin tim me titull “Ç’lloj rinie në epokën globale?” (Küresel Çağda Nasıl Bir Gençlik).

Pa dyshim që të marrësh një arsimim të mirë dhe të kualifikohesh në aspektin akademik është shumë e rëndësishme. Nuk ka garanci se ku mund ta çojë individin dhe shoqërinë një arsim që i mungojnë parimet e lartpërmendura. Nëse këto parime nuk jepen gjatë arsimit, atëherë ne mund të krijojmë “Frankenshtajnë” përmes shkollës. Ata që vrasin shokët e klasës me armë automatike, ata që hedhin gjilpëra apo helm në ushqime ose ata që e tërheqin njerëzimin zvarrë nga një fatkeqësi në tjetrën, përgjithësisht nuk janë njerëz injorantë. Shumë herë ata janë njerëz të sofistikuar, por joparimorë që nuk e përdorin kapacitetin e tyre për të mirën e njerëzimit.

Gjëja më e rëndësishme në arsim nuk është ajo çfarë ne mësojmë, por arsyeja përse e mësojmë.

Postime te ngjashme