Paralajmërimi i fortë i Ramës për administratën dhe çfarë dhurate ka për Bashën

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në 6-mujorin e parë të vitit 2018 do të “pastrohet” administrata shtetërore nga ata punonjës që nuk janë të duhurit për funksionin që ushtrojnë.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, kreu i qeverisë tha se në këtë “sitë” do të kalojnë të gjithë punonjësit e administratës shtetërore. Rama tha se do të largohen ata punonjës që nuk zotërojnë një diplomë që përputhet me vendin e punës, apo që janë punësuar me dokumente false.

 

“Vettingu në Polici do të nisë në janar pasi gjatë 100 ditëve të para është përgatitur gjithë baza për zbatimin e tij. Ndërkohë kemi përgatitur bazën për të bërë një vetting në administratën shtetërore, nuk flas për administratën publike, për shërbimin civil, që në një farë mënyrë është një sistem i garantuar, dhe që baza shumë të favorshme për t’u forcuar në vijimësi, por flas për pjesën tjetër të administratës. Do të largohen ato punonjës kur diploma nuk përputhet me vendin e punës, apo për ato rekrutime që janë bërë me letra false. Janë shumë të tilla për fat të keq. Dhe në 6 muajt e parë të vitit të ardhshëm do të bëjmë një pastrim në këtë aspekt”, u shpreh kryeministri Rama.

Megjithëse kryeministri Edi Rama i përsëriti komplimentet për kryetarin e PD-së Lulzim Basha si ‘djalë i mirë’ dhe ‘artist’, sot ai tha se nuk janë miq por vetëm shokë.

 

“Të them të drejtën këtë nuk e kam menduar sepse ai artist është djalë i mirë por nuk jemi miq, kështu që…Jemi shokë. Kështu që nuk kam një dhuratë në adresë të Lulzim Bashës për këtë vit”, tha Rama.

Postime te ngjashme