Nga intrigat policeske e deri te skenat teatrale, ku po shkon gazetaria shqiptare?

Që kur studiot televizive kanë filluar të shndërrohen në gijotina si e si ta vënë të ftuarin me shpatulla pas murit?

Prej sa kohësh kanë shpërthyer prirjet e reja për ta bërë kurban të intervistuarin në syrin e publikut masiv?

Që kur gazetarët kanë marrë frerët dhe janë transformuar në policë, e ndërkohë studioja në një dhomë hetuesie?

Janë pikërisht studiot televizive që, pavarësisht arredimit, ngjyrave dhe ndriçimit, më ngjajnë më tepër me ‘Sigurimin’, me ato dhomat e errëta të torturave të kohës së komunizmit.

Dhe ndërkohë i ftuari aty, më kujton novelat e Dostojevskit, specifikisht Ivan Matvaiç, i cili mirë që u gëlltit nga krokodili, po i duhej të duronte dhe fyerjet dhe kërcënimet e komisarëve që nga barku i krokodilit të cilët thonin se kishte prishur një pronë kombëtare mjaft të lëvruar nga turistët.. Sarkazëm po të duket, apo jo? Ashtu vërtet, është për të qeshur e për t’ia vënë kujës njëherësh, pasi gazetaria në Shqipëri po e humb rrugën nga parimet e vërteta. Këto janë rastet kur gazetari/ja mizorisht tregon dhëmbët dhe ‘prangos’ një personi të thjeshtë e pa influencë duke thurur intriga policeske.

Po kur pjesë e emisionit është një politikan, atëherë sjelljet trimërore shndërrrohen në një skenë teatrale sigurisht sipas prirjeve politike të aksh televizion. Me një skenar të përgatitur mirë, në këtë rast nuk synohet vënia me shpatulla pas muri aksh politikan dhe ballafaqimi i tij me të vërtetën, por përfshierja  e audiencës në një labirinth të lodhshëm e të stërmundimshëm hipotezash, akuzash, një tallaz fyerjesh e asgjë prej tyre në të mirë të popullit.

Nuk mbetet gjë tjetër veçse të biem dakord me kryeminstrin i cili e quan kazan mediatik gazetarinë shqiptare, por pa harruar se këtë kazan janë ata që po e ndotin çdo ditë  e më shumë.

Frekuenca.com

Postime te ngjashme