Ndeshja me Maqedoninë, Shqipëria kërkon me patjetër fitore sonte

Kombëtarja do ta nisë me një reshtim më të kujdesshëm se ndeshja me Lihtenshtejnin, por gjithsesi jo më pak sulmues. Christian Panucci pritet të aktivizojë nga minuta e parë sulmuesin Armando Sadiku ndaj Maqedonisë sot në orën 20:45 në Strumica. Në formacionin startues mendohet edhe Hyka dhe Kukeli në mesfushë. Shqetësim duket se është Eros Grezda i cili ka patur probleme shëndetësore. Trajneri nuk bën kompromis duke kërkuar fitoren.

Christian Panucci (Trajner i Shqipërisë)

Në vijmë këtu për të fituar ndeshjen, por të shohim çfarë do të na sjellë fati, por nuk mund të firmos për barazimin. Respekt për Maqedoninë, por duke qenë të vetëdijshëm për vlerat tona.

Trajneri i kuqezinjve nuk ka bërë shumë komente për stadiumin modest ku do të zhvillohet takimi.

Christian Panucci (Trajner i Shqipërisë)

Është një stadium i vogël, por fusha është e mirë. Këto stadiume fshehin të papritura, por ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen.

Në Strumicë mund të ketë presion nga tribunat, por gjithsesi kapiteni Ansi Agolli mendon vetëm për fushën e lojës.

Ansi Agolli (Kapiten i Kombëtares)

Skuadra duhet të përqendrohet në fushë, të përqendrohemi te loja jonë dhe të japim maksimumin.

Kuqezinjtë janë shoqëruar gjatë të gjithë kohës nga forca sigurie për të shmangur çdo të papritur. Një fitore në fushën e Maqedonisë do të ishte e para për Shqipërinë. Një sukses në Strumicë mund të ishte vendimtar për vendin e tretë në grupin eliminator të Botërorit 2018, që do të ndihmonte për një short më të favorshëm në kualifikueset e ardhshme./Tv Klan

Postime te ngjashme