Laicizmi i sotshëm shqiptar – streha e fundit e ateistëve të djeshëm

Ata që deri dje ishin ithtarët më fanatik të ateizmit të diktuar, sot janë laicistët më të tërbuar.

Autor: Bled Komini

E ndërsa për Zotin njeriu gjithnjë duhet falur për gabimet e tij, për laikun funksionar shqiptar, Zoti e besimtari nuk duhet të “ekzistojnë publikisht”.
Është pikërisht kjo strehë që godet moralin dhe etikën shoqërore, sa herë që shoqëria shqiptare kërkon të vendosë një standard ndalimi të së keqes, së dëmshmes, dhe lejimi të shfaqjes së besimit në publik, si një e mirë e përbashkët që strehon këdo që beson se shoqëria duhet të ecë përpara me vlera, jo vetëm me ligje.

Për laikun funksionar shqiptar, vlerat e vetme që përcjellin besim e që duhen glorifikuar janë ato të lidhura me mitet si Skëndërbeu, apo Ismail Qemali, ndërkohë që Nënë Tereza që ai mban në zyrë si portret është thjeshtë një zgjedhje personale.
Mbase pikërisht nga ky model, kjo frymë, apo ky lloj edukimi, gjenerohet masa e së keqes që ka përfshirë një shoqëri si kjo e jona, ku Zotin duhet ta mbash vetëm për vete, ndërsa korrupsionin mund ta bësh edhe hapur.

Tërësia e mekanizmave që shoqëria shqiptare vendos përball zhvillimit dhe pozitivitetit social, bazohet thjesht mbi një element të vetëm, se shteti ka ligje dhe i keqi dënohet. Por në realitet ndodh pikërisht e kundërta. E keqja bëhet hapur dhe ligji (autoriteti ligjzbatues) është tërësisht i pafuqishëm për ta ndalur. “Thatësia” e normës ligjore nuk mund të funksionojë kurrë e ndarë prej konceptit moral, aq më tepër në një shoqëri si ajo shqiptare, që ka qenë e ekspozuar gjatë në gjolin e mashtrimit dhe indoktrinimit ideologjik.

Thellësia e indoktrinimit ideologjik, duket edhe më shumë po të krahasohet diskuri publik mes tematikave politike dhe atyre etiko-morale. Nëse arrijmë ta bëjmë krahasimin, do shihet se diskuri ynë shoqëror anon më shumë nga ai politik sesa nga ai etiko-moral. Njëherazi kjo tregon dhe bjerrjen e brendshme nga e cila po lëngon shoqëria shqiptare, si rezultat i ndarjes së thellë mes sferës publike thellësisht materiale, dhe asaj etiko-morale, hapësira e së cilës është e pandjeshme.

Ky ngatërrim i qëllimshëm i personales me publiken dhe i një fryme ligjore që shoqërohet me shumë mangësi përshtatjeje, e cila e trajton publiken si mall vetëm të atyre që mendojnë se e duan shtetin pa fe (larg besimeve), ka krijuar dhe vazhdon të krijojë një ndasi shumë të madhe dhe pabarazi ndjesish patriotike. E përkthyer në pak fjalë, besimtarët e kujtdo religjoni sipas këtij interpretimi ligjor, ndjehen të papërfshirë në historinë dhe kontributin shtetformues e zhvillues, të cilin e kanë pronësuar ata që mendojnë dhe e interpretojnë shtetin si ingranazh që vepron vetëm përmes ligjeve e normave, e aspak përmes moralit.

Modeli anglosakson e tregon më së miri, se shpirti i kapitalizmit amerikan erdhi pikërisht prej lëvizjeve protestante, e jo prej internacionaleve komuniste-ateiste./Përballje

Postime te ngjashme