Juventus, presidenti Anjeli bën sherr me kushëririn Xhon Elkan

Anjeli-dhe-Elkan-470x313

Të mbrosh ngjyrat e Juventusit nuk është vetëm çështje sportive dhe krenarie, por sidomos edhe një problem imazhi. Po flasim për një ndër klubet më të mëdha të historisë së futbollit dhe ndoshta atë të cilin ka bërë hapat më të rëndësishëm në pesë vitet e fundit, qoftë në anën sportive, ashtu sikurse në atë të marketingut dhe forcimit të imazhit.

Por pikërisht ky hetim i fundit i hapur ndaj presidentit Andrea Anjeli ka bërë që “ekonomisti” i familjes, Xhon Elkan, të tërbohet me kushëririn e tij. Elkan është presidenti i grupit financiar “Exor”, i cili mbulon dhe monitoron çdo aspekt të aseteve të familjes Anjeli, dhe nuk po flasim për ato sportive.

Që kur ngjarja u bë zyrtare, mes tyre ka pasur një krisje, por fakti se tashmë Anjeli mund të marrë një dënim ekzemplar (federata kërkoi 30 muaj pezullim), një fakt i tillë mund të jetë një prishje imazhi për Juventusin, i cili mund të ndikojë mbi të gjitha në aspektin e imazhit dhe atë të marketingut.

Sipas të përditshmes “Libero”, Xhon Elkan ka telefonuar Andrea Anjelin dhe i ka nënvizuar atij që të dorëhiqet, në mënyrë që në rast të një dënimi, ai të paktën të jetë gjithsesi i larguar nga skuadra. Kundërpërgjigjja e presidentit aktual ka qenë e ashpër, madje kërcënuese.

Ai jo vetëm që nuk ka ndër mend të lëshojë skuadrën dhe detyrat që ka në të, por ka kërcënuar se do ta nxjerrë jashtë grupit “Exor” Juven, duke e blerë personalisht. Aktualisht vlera e kuotave dhe aseteve të klubit bardhezi vërtitet te 1.5-1.8 miliardë euro, shifër kjo të cilën me sa duket, Andrea Anjeli nuk e ka problem ta gjejë te disa fonde amerikane dhe ta privatizojë skuadrën.

Ky debat ka nxehur së tepërmi gjakrat mes Andreas dhe kushëririt të tij, i cili kishte telefonuar edhe mamanë e Anjelit, Alegran, për t’i kërkuar asaj që të vihej në krye të Juves, si presidente nderi, e mbështetur nga Marota dhe nga Nedved./panoramasport/

Postime te ngjashme