Hidhet shorti i Botërorit 2018, ndeshja hapëse Rusi-Arabi Saudite

 

 

Ka nisur në pallatin presidencial të Kremlinit, në Moskë, ceremonia zyrtare e hedhjes së shortit të Kupës së Botës, që do të zhvillohet verën e ardhshme në Rusi.

Në fillim të ceremonisë, nga një fjalë përshëndetëse kanë mbajtur presidenti rus Vladimir Putin, si dhe kreu i FIFA-s, Gianni Infantino.

“Rusia ka një pasion të jashtëzakonshëm për futbollin dhe ka shumë futbollistë të shquar të spikatur gjatë brezave të shkuar, ishin fjalët e para të Putinit.

“Trofeu më i lakmuar do të fitohet nga ekipi që do të tregojë më shumë vendosmëri. Do të doja t’iu uroja suksese të gjitha ekipeve pjesëmarrëse, ndërkohë që u bëj thirrje të gjithë tifozëve besnikë të vijnë në Rusi dhe të shijojnë finalet e Botërorit të vitit 2018”, tha ndër të tjera Putin.

Pas tij ishte Gianni Infantino që iu uroi mirëseardhjen të gjithëve, nga figurat më të shquara të futbollit si Pelè e Maradona, e deri te përfaqësuesit e kombëtareve pjesëmarrëse.

“Faleminderit popullit rus që ka punuar kaq shumë dhe kaq fortë në 7 vitet e fundit për të na çuar një hap më pranë turneut final. Faleminderit 11 qyteteve mikpritëse që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Skena tashmë iu përket legjendave të futbollit, e teksa jemi ngjitur në këtë podium, duam t’i ftojmë këta artistë të festojnë për futbollin anembanë botës. Shijim të këndshëm shortit dhe fillim të mbarë kompeticionit më të lakmuar të futbollit, verën e ardhshme këtu në Rusi”, tha presidenti Infantino.

Menjëherë më pas zbriti Miroslav Klose, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kampionatet botërore, i cili dorëzoi trofeun origjinal të Kupës së Botës, për të cilin do të vihen në garë 32 kombëtare deri në ngritjen e saj në korrik të 2018-s.

“Ky trofe ka një domethënie të magjishme. Shumë futbollistë të mëdhenj e kanë mbajtur këtë trofe në duart e tyre. Besoj se ishte një moment magjik edhe për mua që e mbajta për kaq kohë në duar”, u shpreh Miroslav Klose, kampion bote në fuqi me Gjermaninë.

Grupi A – Rusia, Arabia Saudite, Egjipti, Uruguaji.
Grupi B – Portugalia, Spanja, Maroku, Irani.
Grupi C – Franca, Australia, Peruja, Danimarka.
Grupi D – Argjentina, Islanda, Kroacia, Nigeria.
Grupi E – Brazili, Zvicra, Kosta Rika, Serbia.
Grupi F – Gjermania, Meksika, Suedia, Koreja e Jugut.
Grupi G – Belgjika, Panamaja, Tunizia, Anglia.
Grupi H – Polonia, Senegali, Kolumbia, Japonia.

Postime te ngjashme