Dikur një mexhlis paqeje i çelur për të gjithë, sot një kulle e akullt në mes të Tiranës

nga Irena Sedja

Kur e shkuara hidhet pas krahëve, ndonjëherë duket sikur e ardhmja do të rilindë edhe më e ndritur, por shpeshherë gabohemi, për vetë faktin se kthimi në retrospektivë nuk është veçse një refletim i së ardhmes, që siç duket nuk është dhe aq premtuese..

Në Tiranën tonë të dashur nuk ka mbetur qoftë edhe një kujtim i së kaluarës, qëkur kryeqyteti u zhvesh nga historia e tij. Më nuk ka mbetur qoftë edhe një vragë, as edhe një gjurmë historie për t’ia kallëzuar brezave të rinj, të cilët përditë  e më shumë po joshen nga luksi dhe paraja, duke harruar kështu historinë  dhe identitetin e vendit tonë.

Nuk lipset shumë për ta kuptuar tollovinë, mjafton një vrojtim prej kalimtari të shkujdesur në qendër të Tiranës për të mësuar sesi është shndërruar ky qytet në një zallamahi arkitekturore. Këtu një kullë, atje një tjetër, më tutje pa kriter po ngrihet edhe një ‘shtatlartë’  disa metroshe.

Para dy vjetësh u përurua  “The Plaza Tirana”, që shumëkush krenohet për 23 katet e larta, 85 metrat në hava dhe pesë yjet në kulm..Të magjepsurit pas kësaj kulle e kanë quajtur hapin e parë drejt një vizioni të ri për kryeqytetin.. Nëse ky qe hapi i parë, as dy pare mend nuk duhen për të hamendësuar vazhdimin.

Pikërisht në atë vend 4 shekuj më parë thirrej drejt dijes, paqes, nënshtrimit ndaj Zotit, moralit, edukatës ndërsa sot, për fat të keq është vendi ku bëhen pritje luksoze e mbledhje oligarkësh.

Aty ku thuajse të gjithëve mund të na ketë ndodhur që, truprojet e sigurisë herë herë të na e kenë ndaluar kalimin pranë hyrjes së hotelit se medemek dikush me rëndësi të madhe paskësh ardhur në Shqipëri. Dikur qytetarët shqiptarë shkonin për të drejtuar fytyrat e tyre drejt Kiblës. Eshtë pikërisht Sulejman Pasha xhamia e parë e ndërtuar në Tiranë në vitin 1614. Ashtu siç tregon dhe historiani Agim Bardhi, kjo xhami ishte epiqendra e qytetit. “Rreth saj kishte disa xhami të tjera, xhamia e Ethem Beut, xhamia e Stërmasit tek Pazari i Vjetër, xhamia e Metfirës, aty ku është gjimnazi Sami Frashëri, xhamia e Kokonozit tek Pazari i i Ri, por xhamia  e vjetër ishte më i mpozante dhe më e rëndësishme, ku për qindra vite u organizuan festat më të rëndësishme të popullit të Tiranës”.

Ka qenë e para xhami në Tiranë e ndërtuar 400 vjet më parë që shërbente si dritë zemrash, si busullë shpirtrash, si fener i mendjes njerëzore. Po sot?

Sot në atë vend është ngritur një kullë kryeneçe (që s’di pse këtë shije më le sa herë kaloj) e cila s’është veçse burim parash për të pasurit në vend dhe skamje për të gjorët e tij. Nuk ishte aspak tronditës skandali që shpërtheu para pak ditësh ku klientët padisin hotel “Plaza” se i survejon me video, fotografi,  e marrje grup gjaku klientët dhe punonjësit në çdo ambjent të tij. Epo, ç’nuk pritet kur në vend të besimit, dijes dhe kulturës ngrihen kulla oligarkësh…

Dje një mexhlis paqeje i çelur për të gjithë, sot një kulle e akullt në mes të Tiranës…

Frekuenca.com

 

Postime te ngjashme