Ceni, Beni dhe politikanët tanë komunistë

Nga Malik Hasa

Ceni dhe Beni pinë çdo mëngjes kafenë e tyre pranë zonës së quajtur Bërryli në kryeqytet. Takohen dhe pinë kafenë me qejf dhe pa u mërzitur pasi kanë ç’të flasin dhe asnjëherë nuk mbaron muhabeti…. E si mund të ndodhë ndryshe kur Ceni është komunist dhe Beni antikomunist. Ceni ka të drejtë sepse gjatë asaj kohe ishte kuadro dhe jetonte mirë, ndërsa Beni ka edhe më shumë të drejtë pasi në atë kohë jetesa e tij ishte si mos më keq.

Ditët e fundit Beni është shumë i mërzitur pasi Ceni vazhdimisht i thotë i buzëqeshur që një ditë Shqipëria do të bëhet përsëri komuniste.

Sot në tryezën e tyre jam edhe unë, por si dëgjues dhe pa të drejtë fjale. Ja nis Ceni të flasë si gjithmonë.

Shqipëria shumë shpejt do të kthehet në një shtet komunist… Për këtë po punojnë të gjithë. Para se të prishej sistemi, Ramiz Alija vendosi të themelojë dy parti, ku në brendësi të saj vendosi njerëz të bindur dhe besnikë në mënyrë që pas një farë kohe ta rikthejnë përsëri sistemin.

Në sistemin gjyqësor mbizotëron ryshfeti. Pse thoni ju? Për t’i treguar njerëzve që ky sistem nuk funksionon dhe se ai komunist është shumë më i përshtatshëm.

Atëherë ishte shumë qetë. Nuk kishte vrasje, ndërsa sot çdo ditë vriten njerëz të pafajshëm. Atëherë mbase kishim probleme me ushqimin, ndërsa sot ushqim ka plot, por asnjë ushqim nuk është i sigurtë. Përse i lejojnë këto gjera politikanët thoni ju?

Rrënuan fabrikat të trashëguara nga ne dhe lanë të rinjtë pa punë vetëm që të rinjtë të kërkojnë sistemin tonë të lavdishëm.

Atëherë në çdo fshat kishte qendra shëndetësore, ndërsa sot shokët tanë revulucionarë po lënë edhe kryeqytetin pa spital, vetëm dhe vetëm që të ketë mall për atë kohë.

Atëherë kishim një sistem aq të mirë arsimor saqë edhe të moshuarit mësuan të shkruanin dhe lexojnë, ndërsa sot komunistët që drejtojnë vendin nxjerrin studentë ekselentë që mbarojnë universitete dhe nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë.

Në kohën e xhaxhit, nëse një drejtues vidhte futej në burg përjetë dhe madje familja e tij internohej, ndërsa sot shokët tanë politikanë ngrihen në detyrë sa më shumë të vjedhin.

Jam i bindur që puna e politikanëve tanë komunistë trima është duke u realizuar 150 për qind dhe gjithmonë e në rritje. Të jeni të bindur që një ditë të rinjtë e këtij vendi do të kërkojnë të vijë ajo kohë dhe shokët tanë politikanë do ta kenë shumë të lehtë t’i vënë emrin sistemit, ‘Shqipëria demokratike komuniste’.

I hutuar Beni kthehet dhe më thotë: E shikon se pse jam kështu këto ditë? Ky për pak po më mbush mëndjen mua që jam i vuajtur nga ai sistem dhe jo me të rinjtë të cilët as që i dinë ato vuajtje…

Le ta lëmë mënjanë Cenin imagjinar të shkojë dhe t’i bashkohet shokëve të tyre në festat e Pezës, Gjirokastrës, Tepelenës etj., dhe t’i kthehemi realitetit tonë politik duke ngritur natyrshëm një pyetje të lehtë dhe naive…

Dhe sa 28 vite do të na duhen të ndërtojmë një Shqipëri të mirë që të mos ketë nevojë të kthejë kokën nga sistemi i egër komunist?

Sali Berisha, i pari i këtij sistemi dhe Edi Rama, drejtuesi aktual, më shumë se punët për të çuar Shqipërinë përpara merren me sulmet ndaj njëri-tjetrit duke të lënë të mendosh se ata s’duan që ky vend të përparojë. Si shumë pyetje të tjera që lindin natyrshëm le të pyesim përsëri….

Mendoni se ato që thotë Ceni imagjinar janë të vërteta?

Po sikur politikanët tanë të jenë vërtetë agjentë të komunizmit?

Mos vallë për këtë arsye ligji i ilustracionit nuk u bë dhe nuk do të bëhet kurrë?

Frekuenca.com

Postime te ngjashme