Basha pyetet në Prokurori: Kam një mesazh për Edi Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u pyet të Premten në Prokurorinë e Tiranës pas kallëzimit të deputetit socialist Taulant Balla për “fyerje” dhe “shpifje” në lidhje me çështjen e Xhisiela Malokut.

“Dy deputetë të opozitës janë thirrur sot në prokurori. Salianji sepse është kallëzuar nga një trafikant droge dhe unë ngaqë jam kallëzuar nga një politikan bandit i lidhur me krimin”, tha Basha për mediat pasi doli nga Prokuroria.

Basha tha se ky nuk ishte fundi i opozitës, por fillimi i fundit të atij që e quajti regjimit kriminal.

“Kur regjimet e kriminuara janë afër fundit, faza e fundit është përdorimi i shtetit me shpresën e dëshpëruar për të mbytur zërin e opozitës dhe për të shpëtuar pushtetin e tyre të inkriminuar. Thirrja e kryetarit të opozitës nga një regjim kriminal për tu paraqitur në prokurori nuk është fundi i opozitës, por fillimi i fundit të regjimit kriminal.”

Në fund kishte edhe një mesazh për kreun e qeverisë.

“Sot kam një mesazh të qartë për Edi Ramën dhe veglat e tij qorre në shtet, media dhe kudo:  Partia Demokratike, unë dhe të gjithë shqiptarët e vendosur për të larguar krimin nga politika nuk trembemi, as nuk shantazhohemi dhe as nuk impresionohemi nga makinacionet e shtetit privat të Edi Ramës, por jemi të vendosur për të vazhduar deri në fund betejën tonë për çmontimin e këtij shteti privat dhe shkatërrimin e diktaturës mafioze.”

Postime te ngjashme